| |
 |
Sot përfundoi ushtrimi gjithëpërfshirës në nivel vendi “Shqiponja 7”, i cili u zhvillua me sukses, për pesë ditë më radhë, nga data 26 -30 maj 2008. Ky ishte ushtrimi i parë i këtij lloji në nivel vendi, në të cilin ishin të përfshirë institucionet më të larta vendore përgjegjëse për siguri dhe menaxhim të emergjencave, si: Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Ministria e Brendshme, Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, Shërbimi Policor i Kosovës, departamentet e emergjencave në nivele komunale, të Vitisë dhe Lypjanit.
Për planifikimin, organizimin si dhe simulimin e incidenteve përgjegjëse ishin TMK-ja dhe KFOR-i, njëherësh Inspektorati i KFOR-it, përpos mbështetjes në simulimin e ngjarjeve, sipas skenarit, kishte edhe një rol shumë të rëndësishëm në monitorimin dhe vlerësimin e ushtrimit.
Incidentet e simuluara, tërmeti në zonën e Letnicës të komunës së Vitisë, ai i rrëzimit të aeroplanit në fshatin Magurë të Komunës së Lypjanit, si dhe një varg incidentesh të tjera ishin ngjarjet kryesore të skenarit të Ushtrimit “Shqiponja 7”.
Ky skenar i planifikuar është nxjerrë nga vlerësimet e rrezikut që mund të ndodhin në Kosovë, në jetën reale, prandaj koordinimi dhe bashkëveprimi i të gjitha institucioneve në këtë ushtrim është një mësim i mësuar, për një të ardhme të vendit më të sigurt.
Ushtrimi Fushor “Shqiponja 7”, njëherësh është edhe një përmbyllje e suksesshme e ciklit trajnues për TMK-në, i cili ka filluar shumë kohë më parë me realizimin e ushtrimeve të tilla të ngjashme, që nga ushtrimi fushor “Shqiponja 1” e deri te ky i fundit.Bazuar në përshtypjet e para të vlerësimit nga monitorues të shumtë të institucioneve vendore dhe ato ndërkombëtare, sidomos nga monitoruesit e KFOR-it, konstatojmë se ditët e ushtrimit kanë rrjedhur me ritmin e planifikuar dhe me suksese të dukshëm në komandim, në kontroll e mbi të gjitha në një koordinim dhe bashkëveprim të suksesshëm me të gjitha institucionet e vendit.Për zhvillimin me sukses të ushtrimit “Shqiponja 7” paraprakisht u zhvillua ushtrimi i vendkomandës, në të cilin ushtrim për dy ditë rresht u testuan kapacitetet e institucioneve të përfshira në ushtrim, në komandim, koordinim, kontroll dhe bashkëveprim ndërmjet institucioneve më të larta për siguri dhe menaxhim të emergjencave. Për rëndësinë e këtij ushtrimi flasin edhe vlerësimet e bëra të personaliteteve të vendit dhe ato ndërkombëtare gjatë vizitave që i bënë këtij ushtrim në fazën planifikuese dhe atë finale.
Ushtrimin e vizituan Komandanti i KFOR-it, Ministri i Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, Komandanti i TMK-se, zv. Komandanti i TMK-së, Shefi i Shtabit të KFOR-it, si dhe një numër i madh i vizitorëve të institucioneve lokale dhe atyre qendrore.Faza vlerësuese, apo analiza pas aksionit, do të zhvillohet me të gjitha të dhënat nga monitorues dhe vlerësues të ushtrimit, në mënyrë që të dilet me rekomandimet e duhura për të gjithë akterët e kyçur në këtë ushtrim.